AKTIVITET TRAJNUES: “Përgjimet procedurale dhe parandaluese. Kufijtë e lejimit të përgjimit. Regjistrimi i fshehtë fotografik, filmik ose me video i personave. Praktika gjyqësore.”

Shkolla e Magjistraturës në bashkëpunim me IRZ, më datë 27 nëntor 2024, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Përgjimet procedurale dhe parandaluese. Kufijtë e lejimit të përgjimit. Regjistrimi i fshehtë fotografik, filmik ose me video i personave. Praktika gjyqësore”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.

Ky aktivitet u drejtua nga: 

Ekspertë: Uwe Stark, Gjyqtar në Gjykatën e Siegenit, Klodjan Braho, Prokuror, Florjan Kalaja, Gjyqtar

LehtësuesGëzim Spahiu, Prokuror

Qëllimi i këtij trajnimi ishte: rritja e njohurive mbi përgjimet parandaluese, masat e veçanta të ndërmarra në kuadër të veprimtarisë parandaluese të agjencive ligjzbatuese, trajtimi i thelluar i përgjimeve procedurale në kuptim të Kodit të Procedurës Penale, njohja me problematikën dhe praktikën gjyqësore lidhur me përgjimet procedurale, si dhe njohja me zhvillimet e fundit mbi përdorimin si provë të komunikimeve të kryera përmes platformave dhe aplikacioneve të ndryshme si Sky ECC, Encrochat etj.

Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve. 

Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si: 

  • Përgjimet parandaluese dhe masat e veçanta që mund të ndërmerren nga ana e Policisë së Shtetit në kuadër të veprimtarisë parandaluese të saj;
  • Llojet e përgjimeve në sistemin procedural penal shqiptar;
  • Standardi i provueshmërisë për lejimin/autorizimin e përgjimeve procedurale;
  • Përgjimet procedurale në raport me hetimet proaktive. Përdorimi i të dhënave të përftuara nga burimet konfidenciale dhe inteligjenca kriminalistike e policisë gjyqësore si pikënisje dhe bazë për fillimin e hetimeve dhe lejimin/autorizimin e përgjimeve;
  • Përgjimet ambientale të kryera në vende private dhe në vende publike. Përkufizimi i këtyre nocioneve nën dritën e praktikës gjyqësore të Gjykatës së Lartë dhe GJEDNJ;
  • Përgjimet me elementë ndërkufitarë;
  • Fuqia provuese e rezultateve të përgjimit në procesin penal;
  • Regjistrimet e kryera nga individët privatë dhe dallimi me përgjimet;
  • Përdorimi i materialeve të përgjimeve në vepra apo procedime të tjera penale;
  • Komunikimet e kryera përmes platformave dhe aplikacioneve të ndryshme si Sky ECC, Encrochat etj. dhe aspektet ligjore që ngrihen në drejtim të pranueshmërisë së tyre si provë në procesin penal. Vështrim i praktikës gjyqësore së deritanishme shqiptare, si dhe vështrim krahasues me praktikën gjyqësore të gjykatave ndërkombëtare dhe të vendeve të tjera, kryesisht, atyre të Bashkimit Evropian;
  • Ankimi ndaj vendimeve për lejimin/autorizimin ose jo të përgjimit procedural dhe gjykimi që zhvillohet në Gjykatën e Apelit.

Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë, prokurorë, oficerë të policisë të Republikës së Shqipërisë.